Rama zotohet për rritje ekonomike dhe punësimit

rama-820x418_2647.jpg

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të shtunën gjatë një takimi elektoral me banorët e Librazhdit, se Partia Socialiste është partia e vetme që mund të rrisë ekonominë e vendit.

Ai ka theksuar se primet e partive tjera për ulje taksash janë vetëm broçkulla.

“Vetëm Partia Socialiste mund ta rrisë ekonominë, sepse është e vetmja forcë që ka vizion kombëtar për shqiptarët, një vizion evropian për fëmijët tanë dhe program real për zhvillimin e vendit”, tha Rama.

Rama u zotua se nëse merr qeverisjen edhe për katër vjet do të bëjnë katërfishin e atyre që kanë bërë në këta 44 muaj.

“Siç luftuam dhe fituam për Vetingun, do të luftojmë e fitojmë për të rritur ekonominë dhe punësimin si asnjëherë më parë. Kemi bërë shumë. Më shumë akoma mbetet për të bërë. Po ka edhe shumë për të humbur, nëse Partia Socialiste nuk mban, pa të tjerë në prehër, timonin e reformave. Për Shqipërinë që duam me shtet, punë, mirëqenie”, ka thënë ai.

Rama tha se zgjedhjet janë një moment historik për të vendosur nëse do të bëhet një shtet serioz, apo një shtet partish me administratën të ndarë si tepsi.

“Jam shumë i bindur që në 25 qershor, do të lihen në shtëpi flamujt e partive dhe në qendrat e votimit do të votohet kuqezi. Jam shumë i bindur që çdo prind demokrat do të votojë për të vazhduar të fuqizojmë arsimin për fëmijën e tij dhe jo për t’i gjetur Lulit një punë që nuk e bën dot”, ka thënë kryeministri Rama.

 

Top