Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë, Prokuroria ende s’ka nisur hetimet

dhunaaaaaaaaaaaaaa_2737.jpg

​Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion në Maqedoni ende nuk ka nisur hetimet për ndodhitë e 27 prillit në Kuvend.

Dy javë pas marrjes së lëndës, ekipi i formuar nga disa prokurorë pret nga Prokuroria Publike t’i dorëzohen në përgjithësi dëshmitë materiale dhe shkresat.

Të pyetur nga Alsat M, nga Prokuroria për krim të organizuar nuk japin detaje se kur do të ftohen për të dhënë dëshminë e tyre para këtij organi, deputetët që hapën portat e Kuvendit për protestuesit.

Ndonëse një numër i madh i personave të përfshirë në ngjarjet e përgjakshme në Kuvend, qofshin ato sulmues ose viktima janë paraqitur në Prokurori, protagonistët si Kërste Mukoski dhe Sashe Vasilevski akoma nuk janë thirrur. Përveç tyre nuk janë ftuar as edhe deputetet tjerë të koalicionit të cilët më 27 prill asistuan dhe orientuan turmën e dhunshme drejtë sallës së konferencave për shtyp.

Incizimet e dala në publik dëshmuan se portat e Kuvendit janë hapur nga deputetët e VMRO-DPMNE-së edhe pse personalisht Mukoski dhe Vasilevski mohonin të kenë kryer një veprim të tillë.

Për zhvillimet e 27 prillit në Kuvend, Prokuroria Publike procedoi nëntë padi penale për pjesëmarrje në turmë. Të gjithë të dyshuarit u dënuan vetëm me kusht. Vetëm ndaj dy të dyshuarve prokuroria ka iniciuar padi penale nën dyshimet se kanë kryer vepër penale tentim për vrasje ndaj kreut të LR PDSH-së Zijadin Sela. Dy të dyshuarit, Kire dhe Cane Gjorgjievski gjenden në paraburgim.

Një muaj pas të enjtes së përgjakshme Prokuroria Publike kumtoi se nga hetimet paraprake është konstatuar se në zhvillimet e dhunshme në Kuvend ka elemente të krimit të organizuar dhe për këtë kërkoi ndihmën e Prokurorisë për krim të organizuar.

Top